Kanë shpresuar për lajme të mira nga infermieria sot pjestarët e stafit teknik të Vllaznisë, por më kot. Mbrojtësi maqedonas Aleksandar Isaevski nuk ia ka dalë të rikuperohet nga dëmtimi që ka pësuar në seancën stërvitore të ditës së djeshme.

Ndonëse kishte fillimisht sinjale pozitive, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Isaevski ka dëmtuar kaviljen dhe për disa ditë i duhet të bëjë pushim.

Kjo do të thotë se mbrojtësi i majtë nuk është grumbulluar për ndeshjen e nesërme ndaj Tiranës, ndeshje kjo që do të luhet në Shkodër.

Por nisur nga gjendja e tij, me shumë të ngjarë ai mund të humbasë edhe ndeshjen e së mërkurës ndaj Teutës dhe padyshim që këto nuk janë lajme të mira për stafin teknik të ekipit shkodran sepse kemi të bëjmë me një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë.