Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, nuk ka vonuar t’i kthejë përgjigje Carlo Ancelottit, pas deklaratave të trajnerit italian në konferencën për shtyp para gjysmëfinales së “Copa del Rey” kundër Real Sociedad.

“Tebas flet shumë për Real Madridin. Atij i mungon respekti për miliona tifozë madrilenë”, – kishte theksuar Ancelotti, kur u pyet për cilësimin e “Los Blancos” si një “klub që vetëm qahet”.

Nëpërmjet profilit të tij personal në “X” (ish-Twitter), Tebas reagoi menjëherë me një mesazh të qartë: “Carlo, është për të ardhur keq që të përdorin për këtë, duke pasur parasysh përvojën që ke.

Kur thashë që Real Madridi është kthyer në një klub që vetëm qahet, natyrisht e kisha fjalën për drejtuesit e tij, të cilët po krijojnë këtë narrativë viktimizuese dhe konspirative: ‘Një kampionat i manipuluar’, ‘gjyqtarët janë kundër Real Madridit’, ‘të gjithë janë kundër nesh’ – shpjegoi Tebas, duke iu drejtuar personalisht Ancelottit.

Ai shtoi se mungesë respekti është më tepër qëndrimi i Real Madridit ndaj ekipeve të tjera, të cilat i mundin në fushë, qoftë sepse janë më të mirë apo thjesht sepse kanë më shumë fat. “Kjo është mungesë respekti ndaj miliona tifozëve të tjerë”, – theksoi presidenti i La Liga-s.

Pavarësisht tensionit, Tebas kujtoi se është një madridist i lindur: “Kjo narrativë që po shtyhet nga drejtuesit e bardhë bie ndesh me vlerat që kemi njohur gjithmonë. Madridizmi nuk blihet, ai ndjehet. Dhe nuk shpërndahet apo dhurohet siç bëjnë disa… dhe shumë të tjerë heshtin”