Partizani luan sot në orën 17:00 një ndeshje, që përcakton shumë mbi sezonin e të kuqve. Ata kanë humbur ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës ndaj Vllaznisë me shifrat 3-1 dhe tashmë do të bëjnë të pamundurën për të përmbysur gjithçka dhe për të shkuar në gjysmëfinale. Tedi Cara foli për mediat para kësaj sfide dhe u shpreh se “demat” kanë para një mision shumë të vështirë. Megjithatë, ai tregoi se tashmë e njohin shumë mirë Vllazninë dhe do të bëjnë maksimumin për të përmbysur gjithçka. Kavajasi shprehet se janë gati edhe për penalltitë.
Mund ta përmbysni Vllazninë në këtë ndeshje?
Nuk është një rezultat i mirë për ne, por ne kemi besim se mund të përmbysim gjithçka. Do të hyjmë për të bërë maksimumin në fushë. Partizani luan për të dy trofetë, kështu që do të japim maksimumin dhe përse jo të kualifikohemi, të arrijmë maksimumin.
Shumë ndeshje në pak ditë ndaj Vllaznisë. E keni studiuar sa duhet?
Vllaznia është ekipi që jemi ndeshur më së shumti në këtë sezon. E njohim shumë mirë, ia dimë pikat e dobëta dhe të forta. Ato dobësi që kanë do të mundohemi t’i analizojmë sa më shumë dhe t’i zbatojmë në fushë, që t’i sulmojmë sa më shumë, sepse na duhet një rezultat me dy gola diferencë që të shkojmë minimalisht në shtesë.
Cilat janë këto pika të dobëta dhe të forta të Vllaznisë?
Mendoj se pika më e fortë e tyre është sulmi. Janë shumë të rrezikshëm në ofensivë. Në fazën defensive lënë hapësira. E kanë si karakteristikë që të lejojnë të bësh lojën tënde dhe ne aty duhet të fokusohemi më së shumti.
Përse keni vuajtur kaq shumë në dy sezonet e fundit ndaj Vllaznisë?
Vllaznia gjithmonë ka qenë e fortë, ka luftuar edhe ajo si ne në të dy trofetë dhe na ka hapur punë. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin, siç kemi bërë në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Shkodër, që nga 1-0 për ta kemi kthyer rezultatin. Shpresojmë që edhe në këto ndeshje të tjera të bëjmë të njëjtën gjë që të mundim Vllazninë dhe të largojmë tersin.
Sezoni i dytë radhazi përballë Vllaznisë në Kupë. Do të donit që të dilnit sërish me penallti dhe këtë herë t’i mposhtni nga 11 metrat?
Mendoj se ne i kemi bërë të gjitha ato që duhen. Jemi përgatitur edhe për penalltitë, sepse lojës nuk i dihet asnjëherë. Ne do të tentojmë kualifikimin pa shkuar deri atëherë, por të shohim çfarë do të sjellë fusha e lojës.
Çfarë do të donit të ndryshonit nga ajo që keni bërë deri në këtë pjesë të sezonit?
Dua të bëj akoma më shumë dhe të arrij aty ku unë dua dhe aty ku klubi pret nga unë. Duhet të punoj më tepër dhe më fort për të arritur aty ku duhet.
Do të donit që pas atij goli të bukur në derbi të luanit titullar edhe ndaj Vllaznisë dhe të vijonit ecurinë e mirë?
Normalisht që po, çdo futbollist kërkon të luajë nga fillimi, por është trajneri që vendos më pas për aktivizimin e një lojtari. Në dorën time është të bëj maksimumin për aq minuta sa më jepen.
Është më e rëndësishme Superiorja në këtë sezon për faktin se jeni në garë dhe është objektiv tërësisht i arritshëm?
Jo, Partizani lufton për të dy trofetë dhe do të shohim se ku jemi më mirë. Të shohim fillimisht ndeshjen dhe nëse kualifikohemi, përse jo të mos luajmë për dopietën.
Jeni të lumtur që klubi e pagoi me gjobë dënimin e fushës dhe do të keni tifozët si mbështetje?
Natyrisht që po, sepse tifozët janë pika jonë më e fortë. Ajo është parë në çdo ndeshje, po ashtu edhe në derbi. Janë mbështetja jonë më e fortë dhe jam i lumtur që do të kemi tifozë. Shpresojmë t’i gëzojmë me fitore.
Partizani ka 19 vite pa e fituar Kupën e Shqipërisë. Mos është viti i duhur ky për të dalë triumfues në këtë kompeticion?
Nëse kualifikohemi, mund të jetë një rrugë e mirë për të fituar Kupën dhe për të thyer këtë “mallkim”, por më duket një ndeshje e vështirë, duke parë rezultatin e ndeshjes së parë. Do të bëjmë maksimumin, jemi përgatitur dhe duam që të kualifikohemi.