Situata te Vllaznia është jo e mirë për vetë re zultatet që skuadra ka marrë këtë periudhë. Pas shkarkimit të trajnerit Migen Memelli dhe emërimit të tetovarit Qatip Osmani, në klub u mendua se gjërat do të ndryshonin për mirë.
Mirëpo, barazimi ndaj Erzenit në Shkodër dhe humbja e thellë kundër Partizanit në kryeqytet, e ka agravuar edhe më shumë situatën, pasi skuadra është futur në një krizë të thellë rezultatesh dhe për më tepër trajnerit Osmani i duhet kohë për injektuar atë që kërkon te skuadra. Pas largimit të Memellit, të shumtë kanë qenë zërat kundër drejtorit aktual sportiv, Elvis Plori, i cili bashkë me pogradecarin e larguar, ka ndërtuar skuadrën në verë. Vetë Plori ka marrë përsipër përgjegjësinë dhe ka pranuar gabimet që mund të jenë bërë në merkato, por nga ana tjetër, është vendosur në pikëpyetje e ardhmja e tij.
Edhe pse presidenti Alban Xhaferi nuk ka reaguar për një ndryshim të mundshëm të drejtorit sportiv, “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin shkodran, se në ditët e fundit ka pasur bisedime me Tefik Osmanin. Ky i fundit është larguar vetëm pak ditë më parë nga posti i drejtorit sportiv të Tiranës dhe mësohet se, ka pasur negociata me drejtuesit e Vllaznisë për të qenë ai në postin që aktualisht mban Plori.
Mirëpo, për momentin nuk mund të thuhet me siguri nëse marrëveshja do të zyrtarizohet, pasi palët po bisedojnë për të gjetur një konsensus. Kësisoji, te Vllaznia tashmë mund të ketë dy Osmani, pasi përveç trajnerit, të njëjtën mbiemër ka edhe ai që mund të bëhet drejtor sportiv. Në ditët e ardhshme mund të ketë diçka konkrete në këtë drejtim, teksa presidenca po mendon që tani për të bërë lëvizjet në merkaton e janarit. E sigurt është që me disa lojtarë, të cilët nuk kanë përmbushur pritshmëritë, do të ketë bisedime për prishje të kontratës.