Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Tefik Osmani ishte i ftuar në emisionin “Elite Show” në SuperSport, ku rrëfeu si lindi propozimi për t’u transferuar të kuqeblutë, raporton me trajnerin Qatip Osmani dhe sulmuesin kryesor të shkodranëve, Bekim Balaj.
Sa e vështirë ishte t’i thoshit po Vllaznisë?
Ka qenë një sfidë, që tani duket shumë e lehtë, por nuk ishte e tillë atëherë kur lëviza drejt Vllaznisë. Më ka shtyrë shumë besimi që më ka dhënë presidenti Xhaferi në takimin e parë. Pashë entuziazëm dhe sigurisht që nuk mund të refuzoja. Bisedat kanë nisur pas largimit tim nga Tirana dhe këtë ia kam bërë të qartë edhe presidentit Halili. U largova nga një klub i madh, për të shkuar në një tjetër klub të madh. Vllaznia hyn në ato skuadrat më të mëdha në Shqipëri dhe për këtë arsye kam pranuar.
Si është bashkëpunimi me trajnerin Osmani?
Ai ka një element kryesor si qetësia dhe bashkëpunimi me të ka qenë perfekt gjithmonë.
Raportet me Bekim Balajn…
Me Bekimin ndihem në siklet, pasi kemi qenë shokë skuadre. Vajtja ime aty e ka bërë të japë edhe më shumë, pasi si profesionist i vërtetë, jep gjithmonë maksimumin dhe stërvitet si 18-vjeçar, ndaj duhet ta falënderoj publikisht.
Si ia ndryshuat fytyrën Vllaznisë?
Gjëja e parë që kemi bërë, ishte të flisnim me lojtarët si në grup, ashtu edhe personalisht. Nuk ishte aspak e lehtë që të rikuperonim anën e tyre psikologjike dhe mund të them që kemi ndryshuar mentalitetin, ndaj rezultatet po shihen në fushë.
Raporti me tifozët…
Tifozët shkodranë kuptojnë nga futbolli dhe ata të duartrokasin nëse ti fiton pastër. Mbështesin ekipin kur humb, por ka dhënë maksimumin në fushë. Më përpara tifozeria e komandonte pak ekipin, nuk e linte të vuante.
Cili është futbollisti i Vllaznisë që mendoni se do të bëjë shumë karrierë?
Nuk është mirë të përmend emra. Ne kemi si synim që nga akademia të sjellim sa më shumë futbollistë në ekipin e parë. Shumë shpejt do të shihni në fushë futbollistë shumë cilësorë.
Sa ka ndikuar stabilizimi i formacionit?
Është shumë e rëndësishme, prandaj edhe e cilësova faktin që trajneri Osmani është shumë i qetë dhe kujdeset për të gjithë lojtarët, qofshin edhe ata të stolit. Menaxhon shumë mirë grupin dhe besoj se kjo është arma që na ka bërë të kemi sukses.