Ekipi i Kamzës nisi stërvitjen në Shqipëri për rifillimin e kampionatit. Trajneri Ramadan Ndreu deklaronte gjatë fazës përgatitore në Antalia, se nuk e kishte të mbyllur merkaton, ndërsa sot u afrua një tjetër futbollist me grupin. Në stërvitje me Kamzën u bashkua Soni Hoti. 20-vjeçari vjen nga Vllaznia B dhe luan si mesfushor. Ai do të mundohet të bindë trajnerin Ramadan Ndreu me përformancën e tij.
Shkodrani ka dalë nga Akademia e Vllaznisë dhe ka luajtur 2 ndeshje me ekipin e dytë. Gjatë gjysmës së parë të sezonit, ai u aktivizua vetëm në dy ndeshje nga trajneri Ervis Kraja.
Vllaznia duket në kolaps total, pasi pas largimit të Senad Hysenajt te skuadra e Partizanit, një tjetër futbollist “i shpëton” Shkodrës. Kamza ndoqi taktikën e “demave” duke i rrëmbyer një nga të rinjtë premtues kuqebluve. /EDS/