Nga tre futbollistet qe “braktisen” Vllaznine ne veren e shkuar dhe kaluan tek Tirana, vetem Fjoart Jonuzi duket se deri tani e ka justifikuar plotesisht besimin e drejtuesve bardheblu ndersa Kaina Nunes dhe Liridon Latifi nuk po japin ate se çfare pritej.
Orges Shehi foli gjatë për paraqitjen e skuadrës në ndeshjen me Erzenin. Foli pa emra, po shigjetoi skuadrën për paraqitjen. Në fakt, në sfidën me Erzenin, në fushë kishte katër titullarë, Abazajn, Micin, Haxhiun dhe Najdovskin që ishte spostuar në mesfushë. Në pjesën e dytë, Hoxhallari, Haxhiu e Latifi mbetën në dhomat e zhveshjeve. Nga ana tjetër, paraqitja jo vetëm e tyre, por edhe lojtarëve të tjerë nuk ka qenë nga më të mirat.
Fakt është që Kaina veç një goli nuk ka bërë gjë tjetër. As Latifi, nga i cili pritej shumë dhe ka vetëm një gol. Abazaj në dy ndeshje ka qenë në stol dhe tri të tjera titullar, por nuk ka shënuar gol, i shqetësuar edhe nga një problem fizik. Lushkja, një lojtar ofensiv, ende nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, ndërsa Hila ka tundur dy herë rrjetën.
Hasani ka shënuar tre gola. Janë të shumtë ata që nuk po japin më të mirën dhe mesa kuptohet fjalët e Shehit janë për ata që kanë pasur përgjegjësinë për të qenë titullarë. Analiza është e qartë. Rreshti i dytë i Tiranës nuk është gati për 11-shen e parë. Tani në dorë e kanë lojtarët për të treguar veten.
Bardheblutë këto kohë kanë vuajtur edhe mungesat e shumë lojtarëve. Patrik, Selmani e Deliu janë të dëmtuar, ndërsa edhe të tjerë kanë kaluar goxha shqetësime.