Opinion nga Avenir Dani
Vllaznia është një ekip që historikisht ka hyrë në kampionat me pretendime të larta për të qenë medoemos në tre vendet e para të renditjes. Vllaznia nuk e ka diskutimin nëse do jetë në mesin e tabelës apo do kërkojë të shpëtojë nga rënia prej kategorisë. Kjo vjen që nga tabani i saj sepse ajo është ndërtuar e tillë, vjen nga puna dhe historia, ekipet zinxhir dhe të tjerë faktorë.
Por nëse në dy sezonet e fundit gjërat nuk kanë shkuar mirë, unë e them se e kanë një shkak: kalimin e klubit të futbollit në dorë të Bashkisë. Këtë e them se e njoh këtë ambjent, i njoh ambicjet e këtij klubi sepse jam pjesë e kësaj Vllaznie në vite, por e them edhe si njeri i sportit. U ba një menaxhim jashtëzakonisht i dobët, jo profesional, me interesa vetjake por që nuk është e rëndësishme t’i përmendim. Kjo ndikoi edhe në ecurinë e skuadrës. Ndonëse ka ndodhur rotacioni në drejtim të klubit, unë mendoj se duhet shumë punë e përkushtim për të krijuar idenë e një titulli kampion. Po nuk e krijoi këtë gjë, Vllaznia do të vazhdojë të vuajë pasojat e këtij keqmenaxhimi.
Ndryshimi mes Vllaznisë dhe Kukësit? Kukësi në ndërtimin e skuadrës kishte seriozitetin maksimal paçka se asnjëherë nuk deklaruam se do shkojmë në Kupat e Europës, se do jemi në tre vendet e para apo finalistë të Kupës.Por në fakt, Kukësi e ndërtoi skuadrën për këto objektiva sepse organizimi ishte jashtëzakonisht serioz. Ajo çka ishte më e rëndësishmja tek kjo skuadër kishte të bënte me atë se të gjithë ato njerëz që punuam për ndërtimin e kësaj skuadre, nuk menduam të abuzojmë me cilësitë e lojtarëve, me blerjet e tyre, aq më tepër që Kukësi është një skuadër shumë stabile, shumë korrekte që nga fillimi e deri tani, qoftë nga presidentët me investimin e tyre, qoftë nga stafi me punën e bërë.
Lojtarët e ardhur tek Kukësi në fillim të sezonit mendoj se janë më cilësorë se këta që kanë ardhur tek Vllaznia. Tjetër ndryshim është se tek Kukësi janë shpenzuar shumë më tepër lekë se tek vllaznia.
Megjithatë konkluzioni im është se në dy vitet e fundit, që me ikjen e presidentit Fushaj, është abuzuar me Vllazninë, në mënyra nga më të ndryshmet dhe nga më të ndyrat për pjesën e futbollit. Pasojat e këtij abuzimi mendoj se janë shumë të mëdhaja saqë do jetë shumë e vështirë për të ndryshuar. Por me një përkushtim të madh sot të presidentit që do t’i bjerë mbi kurriz nqs do të kërkojë të tregojë ndjenjën e seriozitetit për një Vllazni pretendente sezonin e ardhshëm.
Vetëm të dëgjojmë opinionin e rrugës sesi është trajtuar Vllaznia këto dy vitet e fundit, e vërteton më së miri këtë që po them unë. Aq sa sot, kemi lojtarë nga skuadra e Kukësit që nuk kanë dëshirë të vijnë të luajnë në Shkodër!!!
Gabimet e vërejtura tek Vllaznia në këtë sezon kanë qenë të shumta në këtë sezon. Që nga zhvillimi i fazës përgatitore në Shkodër, tek përzgjedhja e lojtarëve etj. Në fazën e dytë kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë por pasojat e fazës së parë ndihen sërish. Prandaj dhe nëse drejtuesit aktualë duan ta marrin seriozisht ndërtimin e një skuadre pretendente, duhet të ndryshojnë shumë gjëra në punë. Drejtuesit aktualë e dinë mjaft mirë këtë gjë dhe kam besim se do dinë ta bëjnë atë.