Drejtuesit e Vllaznisë në basketboll për meshkuj janë vënë në kërkim të lojtarëve cilësorë si përforcime për skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit. Ata kanë dashur të rikthejnë dy shkodranët e larguar pak kohë më parë, Ervin Berdicën dhe Herion Faslijën por ende nuk kanë arritur ta bëjnë këtë gjë.
Një tjetër lojtar që është larguar edhe ai në fillim të këtij sezoni, ka qenë Daniel Lekndreaj. Tashmë i është bashkuar ekipit të Partizanit në të cilin është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të tij.
Drejtuesit e Vllaznisë nuk i kanë bërë asnjë ofertë atij për t’u rikthyer duke menduar se është nën kontratë dhe drejtuesit e kuq nuk do ta lejojnë të largohet. Por Danieli sot ka ditëlindjen teksa feston 22 vjetorin e lindjes së tij dhe drejtuesit shkodranë fare mirë mund t’ia festojnë ata ditëlindjen.
Një zarf në formë urimi, mbase ia prish mendjen për t’u rikthyer në qytetin e tij. Gjithsesi, kjo është çështje tjetër. Gazeta “Shkodra Sport” gjen rastin të bëjë urimin e saj: Edhe 100 vite të tjera të lumtura Daniel Lekndreaj!
© shkodrasport.com