Zgjedhjet lokale po mbajnë peng Klubin e Futbollit Vllaznia sh.a. Në momentin që bisedimet për lëvizjet në hyrje po ecnin në rrugën e duhur, tashmë vjen edhe ngërçi i radhës në Shkodër. “Panorama Sport” zbulon nga burime në klub, se është vendosur të mos firmoset asnjë kontratë e re brenda këtij muaji pa u qartësuar më parë e ardhmja.

Pra, deri pa marrë fund çështja e zgjedhjeve lokale, edhe në Klubin e Futbollit Vllaznia nuk pritet që të ketë nënshkrim të kontratave me lojtarë që do të afrohen gjatë merkatos. Vetëm fillimi i korrikut pritet që të sjellë edhe firmat e para për sezonin e ri, por gjithnjë nëse situata është e qartë për menaxhimin e klubit.

Deri atëherë, drejtues të klubit vetëm do të mbajnë në kontakte të vazhdueshme lojtarët, me të cilët kanë kontaktuar. Vllaznia e ka të pamundur të bëjë hapa konkretë, por kjo mund t’i prishë shumë punë, pasi lojtarët nga ana e tyre mund të marrin oferta më joshëse dhe kjo do të sjellë edhe shkëputjen e tyre nga marrëveshja paraprake që kanë me kuqeblutë. Siç dihet, Vllaznia është totalisht e varur nga Bashkia e Shkodrës dhe kjo mbetet një prej situatave më të papërshtatshme për klubin.

Drejtuesit – Kjo situatë ndikon edhe në të ardhmen e vetë drejtuesve të klubit, pasi edhe ata nuk kanë asnjë siguri nëse do të mbajnë të njëjtat poste pas zhvillimit të zgjedhjeve. Bashkia e Shkodrës është drejtuar nga e djathta, e cila nuk është pjesë e garimit për pushtetin lokal.

Një ndryshim i mundshëm në drejtimin e bashkisë mund të sillte edhe ndryshimin në klubin Vllaznia. Kjo do të thotë se të gjithë planet e bëra nga administratori Suad Lici dhe drejtori sportiv, Engin Firat, mund të shkojnë dëm. Ndërsa nga ana tjetër, drejtuesit e rinj që mund të vijnë, do të kërkonin kohën e mjaftueshme për të bërë afrimet e duhura. Por, nuk përjashtohet as mundësia që bashkëpunimi në drejtuesit aktualë të vazhdojë dhe puna të mos ndalet.

Lojtarët – Lojtarët që mbyllën sezonin me Kastriotin, qendërmbrojtësi Dajan Shehi dhe mesfushori Herald Marku, janë gati të firmosin për kuqeblutë, por vendimi që ka marrë klubi për të mos nënshkruar kontrata me lojtarët deri pa u qartësuar situata, ka bërë që gjithçka të zvarritet.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmuesin brazilian, Silvio Zhunior, i cili ka gjetur akordin me klubin për të rinovuar. Fillimi i korrikut mund të jetë shumë larg për Vllazninë, pasi lojtarët mund të humbin besimin dhe të shohin të tjera mundësi./panorama-sport/