Pavarësisht se ditët kalojnë, tek Vllaznia ende nuk ka asnjë lëvizje.

Ambjenti sportiv në Shkodër pret me interes lajme nga kampi kuqeblu në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë me lojtarët, trajnerët, drejtuesit e klubit apo dhe me çështjen e privatizimit të tij.

Por deri në këto momente, asnjë nga drejtuesit e lartë nuk është shprehur në lidhje me këtë çështje.

Mbase me shumë mundësi, gjërat do të fillojnë të marrin rrugë pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të klubit Vllaznia më 26 qershor.

Në mbledhjen e pas një jave, do të diskutohen shumë gjëra dhe mbase ajo do të jetë pikënisja e ndryshime tek kuqeblutë.

Sakaq, lojtarët të cilët kanë marrë oferta nga ekipe të tjera, kanë nisur kontaktet me to dhe po shohin mundësinë e largimit nga Vllaznia.

Pas Kalajës, të njëjtën gjë janë duke tentuar të bëjnë edhe Çinari, Vucaj, Pjeshka e ndonjë tjetër.

Megjithatë, deri në fund të muajit vështirë se do të ketë ndonjë lëvizje sepse pikësëpari, klubi shkodran nuk ka një drejtues që t’u firmos leje-kalimet.

Gjithsesi, për momentin ende askush nuk mund të thotë me siguri se kush do të largohet dhe kush do të qëndrojë tek Vllaznia për sezonin e ardhshëm.

Sa i takon çështjes së privatizimit të klubit, me shumë të ngjarë procedurat do të zgjasin edhe disa kohë derisa të hapet ankandi.

Kjo do të thotë se sezoni i ri do të nisë nën administrimin e Bashkisë.

Kjo nuk do ta pengojë këtë të fundit të shlyejë gabimet e bëra më parë dhe ta rikthejë sërish Vllazninë në Superligë.

Megjithatë, tifozët shkodranë janë shumë kuriozë të dinë se kush do jenë drejtuesit, trajneri dhe futbollistët që do të përfaqësojnë këtë skuadër në sezonin e ardhshëm.