Tek Vllaznia në volejboll për meshkuj kanë qenë në pritje të përforcimeve në mënyrë që të pretendonin fitimin e trofeve por këto përforcime jo vetëm që nuk kanë ardhur por, nga ekipi ka edhe largime.
Ditët e fundit, nga rradhët e tij është larguar një nga titullarët. Bëhet fjalë për Nikolin Qafarenën. Ky i fundit mësohet të ketë kaluar në kampionatin kosovar të volejbollit duke nënshkruar për ekipin e Pejës.
Nuk ka shumë detaje rreth kushteve të kësaj kontrate por duket se arsyeja ka qenë ana financiare. Klubi kosovar mësohet t’i ketë ofruar një pagesë të mirë lojtarit me përvojë të Vllaznisë por edhe kombëtares shqiptare dhe ai nuk ka hezituar t’i thotë “po”.
Një gjë e tillë ka ardhur edhe ngaqë tek Vllaznia vazhdojnë problemet financiare sepse sportistët për shkak të bllokimit të veprimeve nga thesari, nuk janë paguar prej tre muajsh.
Duke parë këtë gjë, Qafarena ka vendosur t’i thotë lamtumirë ekipit shkodran. Një largim që padiskutim do të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të tij si në kampionat ashtu edhe në kupë.
Trajneri Adrian Mikopli shprehte shqetësimin e mosmarrjes së lojtarëve si përforcim në merkato por ndërkohë gjendet para një të papriture të pakëndshme teksa i largohet një nga titullarët.
Mbetet për t’u parë se si do të reagojë skuadra në fushë megjithatë me largimin e Qafarenës, shanset që Vllaznia të shpallet sërish kampione e Shqipërisë apo dhe e kupës, janë shumë të pakta ose më të mirë të themi, zero.
Gjithsesi duhet pritur fillimi i ndeshjeve për të parë edhe reagimin e skuadrës. Kampionia në fuqi e vendit kësisoj duket larg pritshmërisë. Largimet e disa prej titullarëve të sezonit të kaluar, kanë sjellë edhe dobësimin e skuadrës dhe jo më kot, tashmë fitimi i trofeve duket një mision i pamundur.
www.shkodrasport.com