Vllaznia arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme në javën e 20-të të Superiores. Shkodranët arritën të reagonin pas dy humbjeve në kampionat, duke u kthyer tek pikët e plota në duelin kundër Kukësit. Gjithçka u mbyll në shifrat 2-0 në ‘Loro Boriçi’, duke bërë kështu që kuqeblutë të jenë shumë afër me Tiranën.

Edhe njëherë protagonistë u bë reparti i mesfushës me futbollistët që shënuan duke sjellur kështu suksesin e Vllaznisë. Do ishte Herald Marku që do hapte llogarinë e golave, me anë të një harkimi mjaft të bukur drejt portës kuksiane. Ky do ishte edhe goli i 5-të këtë edicion për mëngjërashin, që në këtë aspekt po kalon formën më të mirë të karrierës.

Golin po ashtu e gjeti edhe Fjoart Jonuzi, një goditje potente nga hyrja e zonës që nuk u kontrollua siç duhet nga portieri kundërshtar përfundoi në rrjetë. Edhe për Jonuzin ky ishte goli i 5-të këtë edicion, duke konfirmuar se mesfusha është reparti që ka shënuar gjysmën e golave këtë sezon për shkodranët.

Përpos Markut e Jonuzit që së bashku kanë shënuar 10 gola, nga mesfusha është edhe Mala që ka shënuar 2 gola e po ashtu Heriç me 1 gol. 13 gola në total nga ky repart, e ndërsa e gjithë skuadra e Vllaznisë ka shënuar 26 gola deri më tani.

Kjo patjetër që është një fakt pozitiv për një skuadër që ka objektiva madhorë, që arrin të zgjidhë ndeshjet në mënyra të ndryshme, pavarësisht ndoshta ‘thatësirës’ së golave nga sulmuesit.
Endri ÇINARI