Ndeshja e së dielës ndaj Skënderbeut po afron dhe në kampin shkodran janë duke menduar vetëm për këtë sfidë tashmë. Stafi mjekësor po punon me intensitet për rikuperimin e problemeve shëndetësore që kanë kapiteni Lika dhe mesfushori Krymi në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për takimin e shumëpritur. Nga ana tjetër, stafi teknik është duke hartuar taktikën e duhur me të cilën mendon të arrijë suksesin ndaj korçarëve.
Kuptohet është një sfidë shumë e vështirë sepse Skënderbeu gëzon një formë shumë të mirë për momentin megjithatë nuk mund të thuhet se ky kundërshtar është i pakalueshëm. Nga ana tjetër, për të eliminuar ndonjë shenjë euforie që është shfaqur tek ndonjëri prej futbollistëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur që deri në ditën e ndeshjes, të mos ketë asnjë prononcim të tyre. Një gjë e tillë bëhet me arsyen e vetme që ata ta kenë mendjen vetëm tek stërvitja dhe jo tek deklaratat në media. Për Vllazninë është e domosdoshme që të merret pikë në këtë takim të rradhës në mënyrë që t’i largohet vendeve të fundit të tabelës së renditjes. Luajtja ndaj Skënderbeut është një problematikë e madhe më vete sepse duhen gjetur mënyrat si fitohet ndaj këtij kundërshtari që siç dihet ende nuk e njeh shijen e humbjes këtë kampionat. Por edhe Vllaznia ka problematikat e veta dhe siç dihet, në tre ndeshjet e këtij sezoni në Shkodër, ajo nuk e ka provuar ende shijen e fitores. Mbase gjërat mund të ndryshojnë këtë herë por nuk do të jetë aspak e lehtë. Kuqeblutë gjithsesi janë duke u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë gjë dhe pritet të marrin rezultatin e duhur.
© shkodrasport.com