www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Tek Vllaznia vjen për provë edhe mbrojtësi fierak Rubin Nako
Tek Vllaznia vjen për provë edhe mbrojtësi fierak Rubin Nako
Një tjetër futbollist mbërrin për provë tek Vllaznia. Bëhet fjalë për mbrojtësin fierak Rudin Nako. Ai ka mbërritur mesditën e sotme në Shkodër dhe pasdite është bashkuar me ekipin në stërvitje. Natyrisht që stafi teknik i kuqebluve ka dijeni në lidhje me vlerat e mbrojtësit të Apolonisë megjithatë ai do të testohet disa ditë, kryesisht për të parë formën fizike të lojtarit. Skuadra siç është bërë e ditur ka nevojë edhe për një qendërmbrojtës tjetër dhe për këtë arsye, 28 vjeçari në fjalë mund të jetë një alternativë. Nako ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur me Vllazninë dhe tashmë duhet parë se si do rrjedhin ngjarjet dhe nëse ai do të bindë trajnerin Zmijani. Problemet shëndetësore që ka shfaqur mbrojtësi malazez Cicmil por së fundi edhe kosovari Haxhaj, kanë bërë që të kërkohet medoemos edhe një lojtar tjetër për qendrën e repartit mbrojtës. Në fakt fillimisht u tentua me Gëzim Krasniqin por lojtari pikërisht ditën që duhej të firmoste në Shkodër ndërroi mendje edhe pas ndërhyrjes së drejtusve të Partizanit që vendosën të mos e lejojnë të largohet. Tashmë mbërrin Nako dhe duhet parë nëse do qëndrojë apo jo për të firmosur kontratë me kuqeblutë. Në sezonin e fundit ai ka bërë një paraqitje të mirë në rradhët e skuadrës fierake ndonëse nuk mundi ta shpëtonte atë nga rënia prej kategorisë ndërsa sivjet dëshiron të luajë sërish në Superligë por këtë herë me Vllazninë.