Italia ishte një nga më të goditurat prej koronavirusit dhe tashmë është një nga shtetet me rregullat më strikte përsa i përket karantinimit të personave të dyshuar për koronavirus. Prej këtyre rregullave e ka pësuar mesfushori i Breshias dhe kombëtares sonë, Emanuele Ndoj.
Ky i fundit ka qenë me pushime në Sardenjë me Sandro Tonali dhe një shok të tyre të përbashkët, i cili më pas ka rezultuar pozitiv për koronavirus dhe sipas ligjit Ndoj dhe Tonali ishin të detyruar të izoloheshin për 14 ditë. Ky rregull nuk është respektuar nga Ndoj, i cili është pikasur nga autoritetet (nëpërmjet një liste digjitale ATS ku regjistrohen gjithë personal që duhet të karantinohen me detyrim) përpara një klubi nate në praninë e tre personave të tjerë.
Kështu, ai është dërguar në komisariat ku është gjobitur për tu dërguar më pas në shtëpi. E gjithë ngjarja ka ndodhur javën e shkuar, teksa policia ka vendosur ta bëjë të ditur ditën e sotme. Përveç këtij sanksioni nga shteti italian, Ndoj e pret edhe një dënim nga ana e klubit të Breshias, që ende nuk ka dhënë një reagim final mbi këtë çështje. /vipsport/