Lojtarët pranojnë kompromisin. Dje nga stërvitja, menjëherë në Vlorë. Pas kërcënimit të ekipit për një tjetër bojkot, menjëherë Bashkia e Shkodrës është vënë në lëvizje për të shmangur një situatë të pakëndshme para ndeshjes së javës së 27-të, asaj që kanë sot në Vlorë ndaj Flamurtarit.
Klubi përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar menjëherë që në mëngjesin e djeshëm, duke sqaruar se do të respektojë të gjitha detyrimet. Për t’i paraprirë ndonjë lëvizjeje të radhës të vetë lojtarëve mësohet se ka qenë vetë numri një i Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, që ka bërë një telefonatë bindëse.
“Panorama Sport” zbulon se kryetarja ka kontaktuar me kapitenin Gilman Lika dhe ku në emër të saj u ka premtuar lojtarëve që ashtu siç ishte lënë, pagat kanë kaluar në bankë, por për disa procedura bankare ato (paratë) do të kalojnë në llogaritë e lojtarëve gjatë ditës së sotme.
Mësohet se bëhet fjalë për të marrë fillimisht pagën e muajit shkurt. Kjo ka bërë që lojtarët të marrin garancinë e duhur dhe dje në orën 14:00 kanë zbritur në fushën e stërvitjes. Menjëherë pas stërvitjes skuadra ka udhëtuar në drejtim të Vlorës.