Te Reali i Madridit nuk heqin dorë nga firma me dy prej sulmueseve të së ardhmes, Kilië Mbape dhe Erling Haland. Ndonëse me këtë Benzema që sa vjen e bëhet më vendimtar dhe me shpërthimin e Viniciusit, presidenti Perez nuk e ka aspak problem t’i bëjë vend dy sulmuesve që i kërkon e gjithë bota.
Mbape pa dyshim mbetet objektivi numër një i Madridit, por dhe Haland nuk qëndron pas. Me afrimin e mundshëm të kësaj dysheje, praktikisht Reali do të kthehej në një përbindësh atje përpara, duke eklipsuar çdo ekip tjetër.
E ndërsa Reali dhe presidenti Perez bëjnë plane për t’i afruar të dy sulmuesit në ekip, nga ana tjetër nuk kanë munguar zërat për një xhelozi të mundshme mes francezit dhe norvegjezit.
Asnjë problem – Por, sipas “Onda Cero” nuk do të ketë asnjë problem mes dy sulmuesve për të luajtur në të njëjtin ekip. Çështja e protagonizmit nuk shihet si pengesë që ata të luajnë së bashku. Madje, sipas gazetarit Alberto Pereiro, gjithçka është logjike dhe Mbape e Haland do të ndjekin shembullin e të tjerë yjeve para tyre që kanë ndarë të njëjtën fanellë.
Për gazetarin në fjalë, Mbape dhe Haland kanë mbajtur kontakte mes tyre kohët e fundit duke diskutuar mes tyre dhe mundësinë e transferimit te Reali i Madridit.
Perreiro pretendon se Mbape i ka telefonuar Halandit në ditët e fundit për t’i folur për të ardhmen e tij. “Ata (Mbape e Haland) kanë biseduar mes tyre në telefon dhe kanë rënë dakord se mund të luajnë fare mirë së bashku te Reali”.
Të dy lojtarët janë me rreth të kuq në axhendën e Perezit dhe janari do të tregojë shumë. Me më të mirët – Ndërkaq, edhe agjenti i Halandit, Mino Raiola, nuk e ka përjashtuar mundësinë që dy yjet e rinj të luajnë së bashku në Madrid.
“E ardhmja e një lojtari nuk varet nga ajo e tjetrit. Unë mendoj se Haland duhet të luajë me më të mirët. Mos harroni se në klubet e mëdhenj edhe lojtarët e mëdhenj mund të bashkëjetojnë”, ka thënë Raiola.