Mançester Junajtid mund të jetë pa shërbimet e golashënuesit kryesor të tyre këtë sezon, Markus Rashford, sot kundër Uolvesit në “Old Trafford”, ku ata do të kërkojnë që të rikthehen te fitorja për të garantuar vendin e tyre në katër skuadrat më të mira pas dy humbjeve radhazi që i kanë lëkundur pozitat e “djajve”.
Trajneri Ten Hag tha në konferencë se lajmi i mirë ishte rikthimi i Rafael Varanit në mbrojtje pas 7 ndeshjeve mungesë, por situata nuk duket e mirë për autorin e 29 golave këtë sezon: “Varan rikthehet, Rashford është në dyshim. Ai ka një problem në këmbën e tij, një dëmtim, kështu që është një pikëpyetje e madhe për të shtunën”.
I pyetur nga gazetarët se sa besim kishte që sulmuesi do ta fitonte garën me kohën për të qenë sot në fushë, tekniku holandez tha: “Kam më shumë se dyshime. Është një pikëpyetje e madhe”.
Në lidhje me Varanin, i cili do të bëjë paraqitjen e tij të parë që prej barazimit 2-2 me Seviljen në çerekfinalen e Ligës së Europës, Ten Hag tha: “Ne jemi të lumtur që ai është rikthyer. Ai ka eksperiencën, di se si fitohen ndeshjet dhe do të na udhëheqë”.