Tension për rrogat te Kukësi para ndeshjes me Skënderbeun.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta se lojtarët nuk kanë pranuar të stërviten dje, pasi kërkuan një sqarim nga drejtuesit për çështjen e rrogave të prapambetura.

Një situatë e përsëritur te Kukësi i këtij sezoni, me futbollistët që janë të pakënaqur për shkak të mosmarrjes në kohën e duhur të pagave. Madje mësohet se dje ka pasur edhe lojtarë që nuk kanë dashur të udhëtojnë fare për të luajtur ndaj Skënderbeut.

Stërvitja e fundit nuk u zhvillua dhe kësisoji, nga Tirana skuadra u nis menjëherë drejt Pogradecit të enjten, ku dhe u grumbullua në prag të ndeshjes së sotme në Korçë në orën 17:00.

Ndërkohë, drejtuesit kanë premtuar zgjidhje të shpejtë të problemit dhe lojtarët tashmë presin një reagim konkret.