Pas lajmeve se Barcelona mund të tentojë verën e ardhshme sulmuesin e Realit, Marko Asensio, ka ardhur reagimi i këtij të fundit. Sulmuesi spanjoll ka dhënë një intervistë për “COPE”, duke lënë të kuptohet se nuk ia mbyll derën Barcelonës.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ka shanse që të vishet me fanellën “blaugrana”, Asensio ka thënë: “Duke nisur nga janari (2023) mund të firmos me çdo klub, ndaj është e natyrshme që të ketë dhe zëra”.
Nga ana tjetër, Asensio nuk ka dashur t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit, duke theksuar se ky nuk është momenti i duhur për të folur më gjatë për merkaton.
“Nuk dua të flas as për Barçën dhe as për klubet e tjera, nuk është ky momenti. Të shohim çfarë do të ndodhë në janar”, ka shtuar sulmuesi i Realit, kontrata e të cilit me “Los Blancos” përfundon në mbyllje të këtij sezoni.
Ndërkaq, mediat e Barcelonës kanë bërë me dije se ky qëndrim i Asensios nuk është pritur aspak mirë në Madrid. Te Reali nuk do t’ia falnin të lejonin që një lojtar i tyre të largohej me parametra zero drejt Barcelonës.