Tashmë ndodhet në Bullgari teksa ka firmosur për Liteks por zemra “i qan” sërish për Vllazninë, skuadrën e tij të zemrës. Armando Vajushi ndonëse larg, e ndjek me interes atë çfarë po ndodh tek skuadra shkodrane dhe për rrjedhojë është habitur nga largimi i Muçës apo lajmet për largimin e Sykjes, Gocajt a ndonjë tjetër. Sulmuesi 20 vjeçar është shumë kritik ndaj ish-klubit të tij për politikën që ndjek dhe kjo duket qartë në komentet që bën në faqen e gazetës tonë dhe në komunikimin me tifozat e ndryshëm. “Mor njerëz, këta drejtuesit e Vllaznisë janë tuj ja fut kot.

Largojnë Muçën, në daç lojtar i mirë, në daç djalë shumë i mirë. Gjynah që e kanë larguar dhe ia kanë ba mbas shpine këtë punë”-shkruan në një koment të tij Vajushi. Por ai i del në mbrojtje edhe Sykajt për të cilin po flitet se mund ta largojnë nga skuadra duke thënë: “Sykaj mbrojtësi më i mirë në Shqipëri dhe dojnë me e heq. Edhe këtë e dëgjova. Po të isha si ai, do largohesha vetë”.E pas këtyre komenteve, dikush nga tifozat i ka kujtu Vajushit se ashtu si të tjerët, edhe ai flet vetëm kur largohet nga Vllaznia. Por Armandoja është i gatshëm në përgjigjen e tij kur thotë: “Kam komentuar edhe kur kam qenë pjesë e ekipit dhe nuk kam pasë frikë askënd. Komentoj prapë sepse nuk po them ndonjë gjë që nuk është. Sykaj është mbrojtësi më i mirë i kampionatit dhe këta duan ta largojë. Në vend të tyre dojnë me marrë 35 vjeça. Kjo asht marre me i thanë kujt”. Pavarësisht moshës së tij të re, Armando Vajushi gjykon saktë dhe godet në shenjë në plagët që po bëjnë të lëngojë Vllaznia. Atë që thotë ai duhet ta thonë me shumë forcë edhe futbollistë të tjerë e për më tepër, specialistët e futbollit shkodran.

www.shkodrasport.com