Sapo ka përfunduar ndeshja në mes ekipit të Tërbunit dhe Luzit, që është luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Vendasit kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1, një fitore që ka ardhur vetëm në fundin e ndeshjes pas një 11-metërshi të kthyer në gol prej tyre. Ndeshja ka filluar më e mirë për Tërbunin që ka shënuarqë në minutën e 10-të me anë të mbrojtësit Shala.
Pas këtij goli, djemtë e trajnerit Stojku kanë humbur shumë raste të pastra shënimi teksa krijohej ideja se do kishte një goleadë në këtë ndeshje. Por ndërkohë në minutën e 78-të miqtë nga Luzi kanë arritur të barazojnë dhe këto shifra po shkonin drejt fundit të ndeshjes të pandryshuara. Megjithatë një 11-metërsh i dhënë në fund të takimit nga gjyqtari, ka bërë që pukjanët të kenë mundësinë më të mirë për të shënuar. Dhe serbi Pavloviç që ka luajtur në këtë takim është treguar i saktë nga pika e bardhë duke e dërguar topin në rrjetë. Përfundimisht 2-1 për Tërbunin që ngjitet në kuotën e 7 pikëve pas tre javëve kampionat.