Tërbuni ka zhvilluar një ndeshje miqësore në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjet e fazës së dytë të kampionatit të kategorisë së dytë. Pasditen e djeshme pukjanët janë ndeshur me Vllaznia U19 në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe kanë fituar me rezultatin 3-1.
Pjesa e parë e ndeshjes ka patur më shumë rivalitet dhe si rrjedhojë 45 minutat e saj janë mbyllur në shifrat e barabarta 1-1 ku për Vllaznia U19 ka shënuar mesfushori Xhoel Hajdari, ndërsa Erigestino Pepnikaj ka shënuar autogol duke i dhënë golin e barazimit Tërbunit.
Në pjesën e dytë trajneri Plori i ekipit Vllaznia U19 ka aktivizuar të gjithë futbollistët e stolit, ashtu siç ka bërë disa zëvendësime dhe trajneri Bardhi në krahun tjetër. Pas këtyre zëvendësime, ka qenë ekipi mik ai i cili ka luajtur më mirë.
Si rrjedhojë, Tërbuni ka shënuar edhe dy gola të tjerë dhe autor i tyre është i njëjti futbollist, pikërisht Konate. Lojtari i ardhur kohët e fundit tek kjo skuadër nga Basania, ka treguar një formë shumë të mirë të cilën e demostroi edhe në miqësoren e sotme.
Në këtë mënyrë i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 3-1 të Tërbunit. Trajneri Bardhi para nisjes së fazës të dytë të kampionatit ka kërkuar edhe 2-3 miqësore të tjera dhe në ditët në vijim do të shikohet më konkretisht se ndaj kujt do t’i luajnë ato./www.shkodrasport.com/