Nga Maringlen ZHIVANI
Shiroka dhe Tërbuni kanë zhvilluar një miqësore këtë fundjavë. Në këtë miqësore ishin pukjanët ata që dolën fitues, të cilët zhvilluan një ndeshje më të mirë se sa futbollistët e Shirokës. Në duelin e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”, Tërbuni u tregua më dominues dhe arriti të triumfojë me rezultatin 3-1, falë golave të shënuar me autorë Vecaj, Filipi dhe Kakooza. Ndërkohë, për Shirokën shënoi Olamide.
Kjo fitore padiskutim që rrit moralin e skuadrës së Tërbunit dhe i bind edhe më tepër futbollistët për arritjen e objektivit për këtë sezon, që është ngjitja në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, trajneri i Tërbunit, Sinan Bardhi, pati mundësi të shohë si në aspektin fizik dhe në atë taktik futbollistët e tij, teksa ai në një intervistë për “Shkodra Sport” tha se është i kënaqur me këtë miqësore, ndërsa tha se pukjanët do të synojnë deri në fund ngjitjen në Kategorinë e Parë.
“Jam i kënaqur me fitimin e miqësores me Shirokën, por kemi ende mangësi. Nuk jemi aty ku duhet akoma. Po punojmë për fazën play-off, në mënyrë që të ngjitemi në Kategorinë e Parë. Prandaj, në këtë periudhë të mbetur do punojmë maksimalisht që skuadra të jetë gati në cdo drejtim. Jemi drejt konsolidimit. Futbollistët kryesorë na kanë munguar nga ndeshja në ndeshje dhe them se objektivin do e realizojmë. Me mundësitë dhe skuadrën që kemi, them se do e realizojmë me sukses objektivin.
Ndeshja e ardhshme me Gramshin? Jemi të mobilizuar që të marrim trepikëshin me një lojë të mirë dhe të rrjedhshme. Jemi brenda objektivave dhe do i bëjmë hyzmetin këtyre tre ndeshjeve të mbetura.”
Të mërkurën, Tërbuni do të luajë ndeshjen e rradhës të kampionatit, ku do të presë në Pukë ekipin e Gramshit, teksa ndaj kësaj skuadre synimi është vetëm fitorja. Për momentin, pukjanët ndodhen në vendin e katërt të renditjes dhe objektivi i kësaj skuadre është ruajtja e këtij pozicioni për të tentuar ngjitjen në Kategorinë e Parë nëpërmjet fazës play-off.(www.shkodrasport.com)