Dritë në fund të tunelit për ekipin e Tërbunit. Pukjanët kanë një mundësi të vogël të shpëtojnë dhe kjo për shkak të Vllaznisë.

Nuk është habi, pasi në qytetin verior të gjithë kanë kryqëzuar gishtat që Vllaznia e madhe të bjerë.

Ata janë dashamirës të ekipit kuqeblu, pasi e kanë mbështetur gjithmonë, por më shumë duan veten e tyre.

Në kushte të tilla, ka një fije shprese se ekipi pukjan mund të shpëtojë. Në rast se Vllaznia bie nga Kategoria, automatikisht bie dhe Vllaznia B, prandaj dhe luajtja e “play-out”-it të shkodranëve kundër Orikumit është e pakuptimtë.

Në kushte të tilla, Tërbuni ka dërguar një shkresë zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit ku kërkon që takimi i “play-out”-it ndërmjet Vllaznisë B dhe Orikumit të shtyhet.

Në rast se Vllaznia bie, vendin e saj të marrë ekipi i Tërbunit. Shkresa zyrtare është dërguar në FSHF dhe është firmosur dhe nga Kryetari i Bashkisë, Gjon Gjonaj.

Të shohim nëse Federata Shqiptare e Futbollit do e pranojë apo jo kërkesën e pukjanëve.

Në rast se Vllaznia bie, atëherë takimi ndërmjet Vllaznisë B dhe Orikumit nuk ka asnjë kuptim që të luhet.

Në vendet që lejojnë ekipet B të luajnë në futbollin profesionist, ekipi B zbret automatikisht në vendin e fundit në raste si ky i Vllaznisë B dhe për pasojë ekipi i vendit të fundit ngjitet një vend më sipër.

Këtu përfiton realisht Tërbuni, që duhet të luajë kundër Orikumit në play-off.

Tërbuni ka një tjetër shans për të shpëtuar, por duhet parë se si do të reagojë FSHF-ja ndaj këtij rasti, pasi nuk ka asgjë të përcaktuar në rregulloren e Federatës.

Skuadra pukjane e ka kuptuar mjaft mirë këtë situatë dhe nuk ka humbur kohë, por është ankimuar direkt në FSHF duke kërkuar shtyrjen e ndeshjes.

FSHF-ja është futur në një tjetër hall që nuk duhet ta përjetonte, megjithatë të shohim dhe të presim se si do të zgjidhet kjo ndeshje. /EDS