Frank Obando është largimi i parë i Tërbunit në këtë merkato të dimrit. Ekuadoriani është larguar nga Tërbuni në drejtim të Tomorit të Beratit. Kjo ndarje ka ndodhur me konsensusin e të dyja palëve, që natyrshëm nuk kanë qenë të kënaqura me njëra-tjetrën.

Futbollisti ndoshta ka dashur më shumë minuta, ndërsa klubi më shumë gola apo assiste nga ekuadoriani. Në fakt, duhet thënë se si trajneri Altin Xhahysa, ashtu edhe trajneri Sinan Bardhi, i besuan jo pak ekuadorianit në nisje të sezonit, por 26-vjeçari nuk dha asnjë sinjal pozitiv.

Obando luajti vetëm në 7 ndeshje në Kategorinë e Dytë me Tërbunin, por pa rezultatet e duhura, teksa arriti të shënojë vetëm një gol. Në verë, ekuadoriani ishte në provë edhe tek Vllaznia, por nuk arriti të mbushë mendjen e stafit teknik të asaj kohe.

Gjithsesi, largimi i Obando i hap rrugën drejtuesve të Tërbunit që të nisin kërkimet për një tjetër sulmues qendre, që është i nevojshëm për pukjanët në pjesën e mbetur të sezonit.

Dritarja e transferimeve ka 10-ditë që është hapur dhe drejtuesit kanë nisur prej kohësh lëvizjet për të firmosur me një sulmues cilësor, element që i mungon shumë kësaj skuadre./M.P/SHKODRA-SPORT.COM/