Ditën e djeshme presidenti Gjon Gjonaj ka konfirmuar në krye të ekipit të Tërbunit edhe për një sezon trajnerin aktual Edmond Dalipin. Të dy kanë pasur një bashkëbisedim të gjatë në lidhje me skuadrën, ndërsa ranë dakord që trajneri të qëndrojë edhe një sezon.

Palët folën gjithashtu për lojtarët dhe cilido futbollist që do të qëndrojë, do të jetë i mirëpritur edhe për sezonin e ri, ndërsa ata që duan largimin do të jenë të lirë.

Dalipi falënderoi Gjonajn që ia besoi ekipin edhe për një sezon, ndërsa shprehu keqardhje për rënien në Kategorinë e Dytë: “Unë deshiroj që grupi që mbylli sezonin të qëndrojë dhe të mos kemi largime. Kam piketuar disa lojtarë për të kompletuar ekipin në reparte të nevojshme.

Javën që vjen do të mbledhim ekipin që të fillojmë stërvitjen për sezonin e ri. Në sezonin e ri do të kemi synim të ndërtojmë një ekip të fortë dhe të rikthehemi në Kategorinë e Parë. Çdo gjë është në bashkëpunim me presidentin Gjonaj”, deklaroi trajneri Dalipi. Ndërkohë, Gjonaj tha se ekipi si gjithmonë pagat i ka të garantuara.