Kompania zviceriane “Gea Sport” është tërhequr nga pretendimet e saj për të marrë në administrim Klubin e Futbollit Vllaznia. Përmes një shkrese zyrtare, përfaqësuesi i kësaj kompanie, avokati Adrian Grabova ka njoftuar Bashkinë Shkodër, Klubin Vllaznia por njëkohësisht e ka bërë publike edhe në media se “Gea Sport” nuk ka më interes për të marrë këtë klub. Ndër arsyet që shtrohen në këtë reagim mbi të gjitha është ajo se “paratë që do hedhim në klub, na ishte premtuar se do na njiheshin si aksione në momentin kur klubi të hyjë në fazën e privatizimit”.
Në fakt, nga zyra e pushtetit lokal në Shkodër kjo gjë nuk i është premtuar askujt sepse klubi do vazhdonte të funksiononte si shoqëri aksionere. Në këtë mënyrë, duke qenë se palët nuk janë marrë vesh për mënyrën e funksionimit të marrëveshjes dypalëse, zvicerianët janë tërhequr. Në këto rrethana, drejtues të Bashkisë Shkodër duke dashur t’i japin një zgjidhje këtij problemi sa më parë, i janë drejtuar edhe njëherë për bisedime ish- presidentit Valter Fushaj. Ky i fundit në fakt ditët e fundit ka dalë hapur në idenë e tij se vetëm nëse klubi do kthehej në shoqatë sportive, ai do të kthehej tek Vllaznia. Nuk dihet nëse drejtuesit e Bashkisë ia kanë premtuar këtë gjë apo jo por fakt është që bisedimet mes pjestarëve të saj dhe Fushajt kanë rinisur sërish. Kjo çështje duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.
© shkodrasport.com