Të shtunën do të nisë kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj. Por pavarësisht kësaj, ekipi i Vllaznisë nuk do të luajë këtë ditë. Arsyeja është se kundërshtari me të cilin do të ndeshej, ekipi i Gramshit, është tërhequr nga kampionati. në këtë mënyrë rikonfimohet edhe njëherë kontestimi që shefi i klubi shkodran, tashmë edhe trajner i këtij ekipi, Mark Kroqi, që përpara hedhjes së shortit, ishte kundër shtimit të ekipeve që nuk kishin garanci për pjesmarrjen në garë. megjithatë, drejtuesit e Federatës nuk e morën parasysh një gjë të tillë me idenë e shtimit të numrit të ekipeve por dështuan. Tërheqja e ekipit të Gramshit, është konfirmimi më i mirë për këtë. Ndërkohë, pavarësisht se nuk do të luajë të shtunën, Vllaznia sigurisht që do të hyjë në kampionat me pretendimet e saj për të qenë në mes ekipeve që do të konkurrojnë për titullin kampion.

Trajneri Mark Kroqi është i kënaqur me mënyrën si skuadra luajti në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë pak ditë më parë, ku pavarësisht faktit që nuk arriti ta fitonte atë trofe, sërish paraqitja ka dhënë shpresa për një rritje të lojës së saj. Në fazën e parë të kampionatit, pjesë e Vllaznisë nuk do të jetë volejbollisti Ditmir Rrashketa i cili ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi që ka patur dhe është në fazën e terapisë për rikthimin sa më shpejt në formën e tij më të mirë. Rikthimi i tij në ekip natyrisht që do të jetë një plus i madh duke njohur vlerat e këtij sportisti që është edhe anëtar i ekipit kombëtar. Sezoni i ri në këtë mënyrë po nis dhe kuqeblutë priten të luajnë sërish në nivele të larta megjithatë për të pretenduar fitimin e trofeve nuk do të jetë e lehtë sepse përveç rivalitetit të ekipeve të tjera, Vllaznia do të ketë kundër edhe Federatën, sidomos pas luftës së hapur që ka nisur në mes drejtuesve të saj dhe atyre të këtij institucioni.

© shkodrasport.com