Mançester Siti nuk po bën mirë në fushën e lojës, por jashtë saj, “qytetarët” kanë fituar një gjyq ndaj Premier Ligës që mund të ketë pasoja të mëdha në të gjithë futbollin anglez. Nuk bëhet fjalë për gjyqin e 115 shkeljeve të rregulloreve, pro për atë ku klubi ka denoncuar Premier Ligën se ka vendosur në fuqi rregullore të paligjshme që ndalonin sponsorizimet.

Premier Liga vendosi disa rregullore të cilat i kufizonin klubeve që janë në pronësi të shteteve si Mançester Siti apo Njukasëll që të lidhnin kontrata sponsorizimi të fryra me kompanitë që janë në varësi të pronarëve të tyre. Kjo, për të shmangur investime të çmendura si ato që mund të bënin “qytetarët” nëse do t’u jepej dorë e lirë sheikëve që të sponsorizonin nëpërmjet kompanive shtetërore që kanë në pronësi.

Një gjykatë sot ka vendosur në favor të Mançester Sitit, duke anuluar këto rregullore të cilat ishin në fuqi për tre vite, nga dhjetori 2021, deri në nëntorin 2024. Ky vendim mund të sjellë pasoja, pasi çdo klub që mendon se ka pësuar humbje duke mos i lejuar kontrata të tilla në këtë periudhë, mund të hedhë në gjyq Premier Ligën për dëme dhe Mançester Siti është gati ta bëjë një gjë të tillë duke kërkuar një dëmshpërblim historik.

Pikë së pari, “qytetarët” do të kërkojnë që Premier Liga të mbulojë kostot ligjore të gjyqit, që arrijnë rreth 20 milionë paund. Por dëmshpërblimi që kërkon Siti për humbjet gjatë këtyre viteve meqë nuk i lejoheshin financime nga kompanitë shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, mund të dëmtojë strukturën financiare të kampionatit, edhe pse ajo është ndër më të shëndoshat në botë.

Siti ndërkohë ka hedhur në gjyq përsëri Premier Ligën për këtë set rregulloresh që u ndryshua në nëntor, përsëri me kufizime të ndjeshme për të dhe në mediat angleze aludohet se nëse fiton, atëherë do të hedhë në kaos të plotë të gjithë sistemin e futbollit britanik.