Nuk ka ende asnjë datë zyrtare për rifillimin e aktiviteteve sportive në vendin tonë pas situatës së rënduar që ka shkaktuar tërmeti i fillimit të kësaj jave, por në FSHF kanë filluar të mendojnë për hapat e parë konkretë për të kthyer në të përditshmen e tij futbollin.

Gjithçka fillon me një element shumë të rëndësishëm, sigurinë në stadiume dhe ajo do të ketë vëmendjen maksimale në këto momente të para. “FSHF për momentin ka qenë në terren me nismat e solidaritet dhe nuk jemi marrë direkt me këtë aspekt.

Në pamje të parë, duket se stadiumet të cilat kanë qenë më afër epiqendrës së tërmetit nuk kanë pësuar dëme të tilla e janë funksionale”, shpjeguan për “Vip Sport” burime në FSHF.

“Por ky është vlerësim i jashtëm i momentit dhe jo nga specialistë të mirëfilltë. Për momentin specialistët e firmës së ndërtimit kanë parë vetëm gjendjen e stadiumit të ri në Tiranë dhe kanë konfirmuar se nuk ka asnjë lloj problematike pas lëkundjeve.

Ndërkohë, stadiume si i Durrësit, “Selman Stërmasi” apo “Redi Maloku” e fusha të tjera sportive, janë kthyer në qendra grumbullimi e strehimi të banorëve. Ndaj për momentin nuk është bërë kontrolli me inxhinierë të specializuar për të konfirmuar nëse ndeshjet aty mund të zhvillohen rregullisht pa rrezikshmëri ndaj personave të pranishëm.

Këto impiante sportive, por edhe të gjithë të tjerat që janë në rrethin e prekur nga tërmeti, do t’i nënshtrohen kontrollit nga persona të specializuar të fushës para se në to të luhen aktivitetet zyrtare”, tregon i njëjti burim. /vipsport/