Situata e rëndë që ka përjetuar Shqiëpria në ditën e sotme me tërmetin e rëndë që ka goditur vendin dhe ka shkaktuar një bilanc të rëndë me viktima, sigurisht që do të ndikojë edhe në mbarëvajtjen e futbollit shqiptar.

Pakkush e ka mendjen te futbolli i luajtur në orë të tilla ankthi ndërsa ndiqen kërkimet për të mbijetuar, ndaj pritet që shumë shpejt FSHF të dalë me vendimin zyrtar për të shtyrë sfidat e kësaj jave.

Edhe klubet e kanë pasur të vështirë sot të mblidhnin lojtarët për stërvitje, ndaj i kanë lënë të lirë në një ditë jo si të tjerat. Kjo situatë kaotike mund të zgjatë edhe në ditët në vijim dhe në FSHF po marrin parasysh idenë që të zhvendosin të plota ndeshjet e fundjavës në kampionat.

Institucioni i futbollit ka shtyrë ndërkohë për një date për t’u caktuar Kupën “Pavarësia”, turneun simbolik i cili zhvillohet më datë 28 nëntor.

“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton të gjithë sportdashësit se për shkak të gjëndjes së jashtëzakonshme që ka krijuar tërmeti në vendin tonë, turneu i përvitshëm mbarëkombëtar, Kupa “Pavarësia”, do të zhvendoset në një datë të re.

Ky është edicioni i 11-të i këtij turneu, ku vlen të përmendim që trofeun, vitin e shkuar e fitoi skuadra e Strugës, në finalen e zhvilluar po në stadiumin “Skëndërbeu” të qytetit të Korçës, ku ishte parashikuar të zhvillohej edhe në datën 28 nëntor 2019”, njoftoi sot FSHF. /vipsport/