Tërmeti i sotëm ka tronditur Shqipërinë e sidomos qytetin e Durrësit ku ka pasur tragjedi në njerëz, por edhe dëme të rënda në banesa, që janë kthyer në të pabanueshme.
Shumë persona kanë mbetur jashtë shtëpive të tyre dhe i janë drejtuar menjëherë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.
Të sistemuar në fushën stërvitore pranë stadiumit, por edhe në ambientet e brendshme, ata kanë marrë ndihmën e parë nga vullnetarët, ndërsa gjatë natës fushat do të kthehen në kamp pritje me çadra të vendosura për familjet dhe njerëzit që nuk mund të kthehen në banesat e tyre.
Pritet që situata të vazhdojë për disa ditë, duke e kthyer stadiumin dhe aneksin e tij në një qendër të mirëfilltë pritje të të pastrehëve dhe personave në nevojë që kanë frikë të kthehen në banesa derisa të qetësohet situata sizmike dhe të kontrollohet nëse banesat e tyre janë të banueshme. /vipsport/