Valon Behrami, lojtari kosovar i Zvicrës arriti ta fitonte duelin me Nejmarin, yllin e Brazilit, duke e nxjerrë atë jashtë loje në ndeshjen e djeshme, që u mbyll në barazim 1-1.

Mesfushori shqiptar ka shpenzuar shumë, por ia arriti qëllimit.

Me vendosmëri dhe forcë, Behrami nuk e la sulmuesin brazilian të bënte asgjë dhe të qëndronte larg zonës së Zvicrës.

Në fund të ndeshjes ka marrë si “shpërblim” një puthje nga e dashura e tij, skiatorja Lara Gut. Në një intervistë për “BLICK” pas ndeshjes, Behrami është treguar shumë modest:

“Unë bëra punën time dhe në fund ia arritëm qëllimit të merrnim rezultat pozitiv.

Brazili krijoi volum të madh loje, ndërsa Nejmari ishte gjithë kohës i shtrirë në tokë. Ai gjithmonë provokon, nëse e prek pak rrëzohet dhe bën që të duket si diçka e rëndë.

Diçka shumë e keqe, sepse është një lojtar i madh, nga më të mirët, ndaj të cilit kam luajtur.

Kur bën një faull, nuk do të thotë se gjithmonë lojtari kundërshtar dëmtohet. Loja vazhdon.

Unë këtë stil loje kam, këtë mentalitet, ndryshe nga Nejmar. U zëvendësova, sepse kisha probleme muskulore.

Kam marrë një goditje dhe të shohim si do të shkojë situata. Shpresoj të jem ndaj Serbisë. Jam 33 vjeç dhe kam nevojë për të paktën dy ditë pushim.

Ndeshja me Serbinë do të jetë shumë e rëndësishme. Shpresoj të luaj dhe të fitojmë”, – ka thënë Behrami. /Vipsport/