Lacio u shkërmoq përballë Ajntraht Frankfurt, duke humbur ndeshjen e Europa League me rezultatin 4-1. Përveç humbjes, bardhekaltrit kanë humbur dhe shërbimet e Riza Durmishit, i cili ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes së mbrëmshme, duke u zëvendësuar në minutën e 18-të me Senad Luliç.
24-vjeçari me origjinë shqiptare, por që kontribuon për kombëtaren e Danimarkës, ka dëmtuar keq krahun, pas një përplasje me Da Kostën.
Gjatë kryerjes së rezonancës Durmishi është shprehur se: “Gjithmonë beso në zot. Daje Lacio. Do të kthehem më i fortë se më parë”.
Anësori i majtë ka patur një zhvendosje të bërrylit të djathtë, ndërsa priten teste të mëtejshme për një vlerësim të saktë të dëmtimit.
Një lajm i keq për trajnerin Inzagi, i cili ka në zotërim vetëm Senad Luliç në krahun e majtë të mbrojtjes. Lukaku nuk është rikuperuar akoma, ndërsa do i duhet të qëndrojë pushim dhe Riza Durmishit.