Bledar Hodo, trajneri i Teutës, ka theksuar se barazimi ndaj Egnatias ishte i merituar dhe se ekipi i tij kishte bërë maksimumin për rrethanat në të cilat erdhi ekipi në këtë sfidë.

“Mendoj se është pikë morali më tepër, me gjithë problematikat që kishim gjatë javës, se kishim shumë dëmtime si Simeu, Zogos, Jazxhi ishte në pikëpyetje deri në fund. Duhet të falënderoj çunat për sakrificën se në një fushë të tillë, me kualitetet e Egnatias, në këtë mënyrë mund ta përballonim.

U thashë që ishim të cunguar nga dëmtimet që kishim. Improvizuam Krujën si stoper, Boçin të djathtë. Kemi bërë eksperimente që po të luanim më sipër do të vuanim në prapavijë. Duke patur skuadër të ngjeshur mbrapa, them që ia dolëm, por duhej të bënim diçka më tepër në fazën sulmuese. Kishim përgatitur 2-3 dalje për të kapur thellësinë, por nuk ia dolëm.

Ishim të cunguar në formacion, ndaj rrinim tërë kohën në ekuilibër dhe në gjysmëfushën tonë, duhej të tentonim diçka më shumë normalisht. Por kjo është situata. Kishim mbrojtësit me probleme. Jazxhi kishte probleme me gjurin, menduam se po të krijonim hapësira mbrapa do të ishim të rrezikuar ndaj luajtëm aq poshtë.