Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku skuadra e tij fitoi 3-0 ndaj Vllaznisë.

Tetova tha se skuadra ka treguar një ecuri të mirë dhe shtoi se nuk shikojnë pas, por vetëm ndeshjen e radhës.

Kemi një ecuri të mirë në këtë fazë të dytë. Vllaznia është në një moment të keq, por nuk do të thotë se ne do fitojmë gjithmonë kështu me Vllazninë. Kundërshtari e lexonte lojën. Skuadrës i kërkova të ishte në ekuilibër në pjesën e dytë, por duhet t’i japim merita edhe kundërshtarit, që ndryshoi skemën.

I kërkova ekipit që në 15 minutat e para të pjesës së dytë të ishte në ekuilibër, por ishte edhe meritë e Vllaznisë, për presionin që ushtroi te mbrojtësit tanë.

U munduam të rifreskonim atje ku kishim nevojë., Nuk doja të pësoja gol të them të drejtën dhe për të qenë i sinqertë.

Nuk mund të them se kundërshtari më i fortë është Partizani. Çdo ekip ka filozofinë e vet. Jemi në javën e 14-të, nuk është shpejt dhe as vonë. Nëse ka skuadra që ndezin motorët dhe pas merkatos së janarit, më pas do shikojmë.

Nuk po shikojmë skuadrat që janë poshtë. Djemtë i kam thënë që duhet parë vetëm ndeshja e radhës. Kam këmbëngulur që të jemi gjithmonë te ndeshjet tona.

Fusha ka pak javë që nuk është në gjendjen më të mirë, sepse këtu u luajtën ndeshjet e kombëtareve të moshave. Do i përshtatemi kushteve, nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk mund të bëjmë alibi për këtë.