Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për MCN TV, pas ndeshjes, ku skuadra e tij fitoi minimalisht ndaj Skënderbeut. Tetova deklaroi se i kishte kërkuar skuadrës që të fitojë edhe keq, ndërsa deklaroi se lojtarëve të rinj do i duhen 3-4 javë për tu përshtatur.

Sipas tij objektivat e klubit nuk kanë ndryshuar, ndërsa shtoi se nuk ishte plotësisht dakord për largimet në merkato.

“Ishte ndeshje shumë e vështirë. E kishim përgatitur shumë mirë, me lojtarët që kemi, pasi kishim largime dhe mungesa për kartonë e dëmtime. I kam thënë ekipit që të fitojë edhe keq. I kënaqemi vetëm 3 pikëshit.

Ju përgjigjëm Skënderbeut, sepse kishim boshllëk mes linjave. Mungesa e Malotës ishte e rëndësishme në mbrojtje. Lojtarët e Skënderbeut kishin superioritet mes linjave dhe i kërkova Mellugjës, që shumë shpesh të ishte mbrojtës i tretë.

Do kemi luhatje për 3-4 javë. Lojtarët duhet të përshtaten me qytetin dhe më pas me skuadrën. Koha është kundërshtari kryesor, por puna ime është t’i përshtat sa më shpejt. Fusha nuk është në gjendjen më të mirë, por i kemi bërë proceset, por të shikojmë në javët në vijim. Nuk është mirë të luajmë në këto terrene.

Nuk kanë ndryshuar objektivat. Unë nuk kam qenë plotësisht dakord për largimet. Unë kam detyrën të përgatis skuadrën me lojtarët që kanë ardhur. Jam i kënaqur me atë që treguan lojtarët. Mua më duhet vetëm koha.

Nuk është e thënë që dua të lëmë pikë. Lojtarët do bëjnë maksimumin. Ne jemi komodë në renditje, por kjo nuk do të thotë që futemi në fushë për të humbur ndeshjen.

Mbrojtja nuk më shqetëson. Kishim mungesa, por ndeshjet nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Jemi në bisedime me një sulmues, por mund të ketë edhe largime, pasi ka oferta”- eshte shprehur Tetova.