Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli për MCN TV, pas ndeshjes, ku skuadra e tij barazoi 0-0 me Teutën. Ai tha se ka lojtarët më të mirë në Shqipëri, ndërsa shtoi se është i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi në fushë.
“Sot ishin të gjitha, luftë e futbolli i bukur, por me 2 gola të anuluar që më vjen keq. Jam i kënaqur me djemtë, janë më të mirët në Shqipëri. Golat e anuluar, janë gjyqtarët që merren me këtë, s’kam përgjigje. Ne po luajmë futboll siç dua unë dhe kjo më intereson. Rezultatet pastaj vijnë vetë.
Nuk i ngjan ndeshja ndeshjes, sot kishim mundësi për të fituar. E rëndësishme është që prodhojmë dhe shkojmë te goli. Duhet të shohim përpara, 1 pikë nuk është keq.
Nuk besoj që do të na penalizojnë rotacionet për stabilitetin në ekip. E kemi pranuar këtë gjë, duam që të gjithë lojtarët të jenë gati për fundin e kampionatit. Përderisa i kemi marrë në skuadër, të gjithë do të kenë minutazh.
Egnatia do të jetë gjithmonë për të marrë 3 pikët, përtej asaj që ndodh në fushë. Lojtarët e mi janë më të mirët dhe shkojnë drejt portës ndaj çdo kundërshtari. Jemi në rrugë të mbarë”- eshte shprehur Tetova.