Edlir Tetova i është gëzuar sot fitores së Egnatias së tij, që mposhti 4-0 Tiranën dhe është ngjitur përsëri në kreun e klasifikimit. Ai vlerësoi lojën e të tijve sidomos në pjesën e dytë, kur skuadra tundi rrjetën me vazhdimësi.
“Mendoj se ndeshje perfekte, po themi në pjesën e dytë. Në të parën kishim vështirësi, dolëm para portës, por kishim vështirësi në manovër, se edhe kundërshtari ishte me 5 në vijën e fundit. Në pjesën e dytë menduam të ndryshonim diçka, të ishim në manovrën 4-3-3, mendoj që funksionoi.
Normalisht e dua ekipin me shumë mesfushorë, e kam kërkuar se ata janë çelësi i suksesit për komandimin e ritmit të lojës. Mendoj që jemi në rrugë të mirë, i kemi mesfushorët me karakteristika të ndryshme. Kemi që shkojnë në thellësi, mbajnë topin apo driblues që marrin metra drejt portës.
Edhe në pjesën e parë ishim para portës, mungoi pasi i fundit, Këtë u kërkova lojtarëve të ngjisheshim sa më afër portës së kundërshtarit, të përfitonim nga topat kthyes. Ia dolëm në dy momente ku u shënuan edhe golat”, tha Tetova për RTSH pas përfundimit të ndeshjes.