Teuta është skuadra e momentit në Superiore. Skuadra durrsake ka bërë mjaft mirë teksa javët e fundit ka fituar çdo ndeshje në elitë si dhe është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
E enjtja do t’i rezervojë “Djemve të Detit” përballjen e fortë kundër Kukësit që do të luhet në orën 19:45. Synimi i durrsakëve është arritja në finale për t’i dhuruar tifozëve trofeun me rastin e 100-vjetorit.
Përgjatë këtyre javëve, trajneri Edi Martini ka treguar se është një strateg i zoti dhe arrin t’i lexojë ndeshjet siç duhet. Për përballjen e Kupës, ai ka zhvendosur seancat stërvitore në orët e mbrëmjes për t’iu përshtatur pikërisht orarit që është përcaktuar për takimin ndaj Kukësit.
Skuadra e Teutës vjen më e karikuar se asnjëherë tjetër. Cilësitë individuale në skuadër dhe fryma e grupit e injektuar nga shkodrani Martini, janë faktorë që kërcënojnë frikshëm verilindorët që luftojnë në dy fronte./newsport/