Teuta zhvilloi një ndeshje të madhe në “Niko Dovana” duke fituar ‘finalen e mbijetesës’ me rezultatin 2-0 përballë Vllazninsë.
Bregdetarët u treguan cinik ndaj një kundërshtari direkt duke e zgjidhur ndeshjen që në 45’ minutat e para me anë të Hrkaç dhe Hakaj.
Me këtë trepikësh “Djemtë e Detit” ngjiten në vendin e tetë në klasifikim në kuotën e 33 pikëve, aq sa Vllaznia, por kuqeblutë zbresin të parafundit për shkak se bregdetarët janë më mirë në ndeshjet direkte me tre fitore.
45’ minutatat e para u mbyllën në avantazh të dyfishtë të bregdetarëve pas golave të Hrkaç dhe Hakaj.
Vllaznia dha sinjalin e parë me anë të sulmuesi Andi Ribaj, i cili pati një rast të rrezikshëm, por Moçka ndërhyn në kohë dhe me kokë largon rrezikun.
Në minutën e 8’ Vucaj provon me një goditje nga distanca, por pa problem për vlonjatin. Në këto minuta janë shkodranët ato që luajnë më mirë, duke regjistruar raste më të rrezikshme, me Teutën, që has vështirësi për të dalë në lojën e saj.
Kryesisht bregdetarët provojnë nëpërmjet goditjeve të lira, por pa e rrezikuar seriozisht portën e Sherit. Në minutën e 19’ Teuta regjistroi rastin më të rrezikshëm, kapitenit Çyrbja pas një inkursioni në krahun e djathtë krosoi në zonë për Laitif.
Afrikani e pason bukur për Hilën, por gjuajta e mesfushorit devijohet në këndore nga një prej mbrojtësve të Vllaznisë.
Teuta kaloi në avantazh në minutën e 32’ me anë të kroatit Ante Hrkaç, që pas një godijte këndi me kokë mbrojtësi e dërgoi sferën në rrjetë.
Teuta menaxhon rezultatin teksa në fund Hakaj shënoi edhe golin e qetësisë pas një aksioni të shpejtë të bregdetarëve duke e shfrytëzuar topin e kthyer në lojë pas gjuajtjes së Latif. Një gol që shokoi shkodranët (45+1’).
Ashtu si në pjesën e parë edhe në të dytën Vllaznia luan në sulm, duke iu afruar ndjeshëm golit. Në minutën e 60’ Çyrbja i afrohet golit pas një gjuajtjeje nga jashtë zonës, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi nga Dediç, por topi përfundon pak mbi traversë.
2’ minuta më vonë Çinari provon me një goditje të fuqishme nga distanca, por Moçka pret pa vështirësi. Çyrbja ka një mundësi të mirë pas një kundërsulmi të shpejtë të bregdetarëve, por gjuajtja e kapitenit lë për të dëshiruar (65’).
Në disavantazh të dy golave Vllaznia nuk ka çfarë të humbasë më dhe sulmon me të gjitha forcat. Trajneri Gjokaj hedh në fushë të gjithë artilerinë e rëndë, por bregdetarët mbrojnë mirë.
Në minutat e mbetura sipikasin dyluftime në mesfushë, me shkodranët që provojnë me të gjitha mënyrat që gjejnë golin e parë.
Pavarësisht aksioneve të rrezikshme ndeshja mbyllet me fitoren 2-0 të Teutës që i mbush me shpresë për objektivin mbijetesë.