Një ndeshje spektakolare ose thënë ndryshe e “çmendur” ajo në Korçë mes Skënderbeut dhe Teutës. 90 minuta lojë, spektakël, faulle, kartonë të verdhë e të kuq, gola, penallti të mohuara, të dhëna e të pashënaura, raste të shumta por në fund, mjafton një gol i Seku Kamara, për t`i dhënë fitoren Teutës.
Loja nis në mënyrë dinamike dhe që në fillim të dyja ekipet dhurojnë spektakël, teksa Teuta kërkon një penallti, por Enea Jorgji, nuk është në të njëjtin mendim me lojtarët durrsak. Ndërkohë pamjet filmike tregojnë se ishte një faull ndaj Kallakut.
Në minutën e 30` të takimit, Seku Kamara shënoi golin që vendosi sfidën. E gjithë festa është për lojtarët e Teutës dhe stafin e skuadrës durrsake.
Më pas Bregut iu anulua një gol, por ishte dukshëm në pozicion jashtë loje, ndërsa në fundin e takimit erdhi momenti tjetër delikat, sepse u dha një penallti kundër Teutës, por edhe një karton i verdhë, i dyti në ndeshje, për mesfushorin Fabian Beqja.
Gjithsesi, Aliti gjuajti shumë keq dhe Hidi priti qetësisht, ndërsa Teuta shkon në avantazh në pushim, por do luajë me 10 lojtarë në pjesën e dytë. Në fraksionin e dytë të ndeshjes spektakli dhe dinamika e lojës nuk mungojnë, me lojtarët e Skënderbeut që mbeten gjatë gjithë kohës në sulm, por Isli Hidi është hero i durrsakëve.
Disa raste të shpëtuara prej tij, ndërkohë që sulmuesit e Skënderbeut nën presion gabojmë me shumë goditje jashtë kuadratit. Kështu edhe me zëvnedësimet e kryera nga Orges Shehi, gjërat nuk ndryshojnë veç presionit të shtuar në portën e portierit Hidi.
Por me gjithë presionin e shtuar dhe rastet e shumta të krijuara nga lojtarët e Skënderbeut, korçarët në fund janë të detyruar të pranojnë rezultatin. Një fitore me shumë vlerë për Teutën që me tre pikët e sotme shkon në vend të tretë në renditje me 28 pikë, ndërsa Skënderbeu vijon të mbajë vendin e dytë me 30 pikë.
Javën e ardhshme Skënderbeu do të përballet me Kukësin ndërsa Teuta do të luajë kundër Partizanit. Kjo është disfata e dytë që Teuta dhe Bledi Shkëmbi i shkaktojnë Skënderbeut në këtë sezon, teksa e mundën dhe në fazën e parë. Por kjo fitore ka tjetër vlerë, pasi durrsakët triumfuan pasi luajtën më shumë se gjysmën e lojës me një futbollist më pak.