Teuta lë qytetin e Pukës. Pas 10 ditësh përgatitjesh intensive në qytetin verior, skuadra dje është kthyer në “bazë”. Edi Martini ka mbetur më shumë se i kënaqur nga angazhimi i lojtarëve gjatë fazës përgatitore. E vlerëson kundërshtarin si të fortë, por më shumë beson te grupi i tij dhe shpirti i tyre luftarak. “Djemtë kanë qenë 100 % të angazhuar në stërvitje. Kanë dhënë maksimumin dhe kjo është ajo që na jep besim se do ia dalim.
E megjithatë, le të shfrytëzojmë edhe ditët e fundit që na kanë mbetur për të qenë gati. E dimë që kundërshtari ka nivel, por ajo që më jep shpresë është shpirti i garës dhe lufta që ne bëjmë kur e duam diçka. E treguam gjatë gjithë kampionatit dhe po vazhdojmë me të njëjtën frymë”, u shpreh mes të tjerash trajneri për “Vizion Plus”. E diela nuk ka qenë totalisht pushim, pasi paradite e kryen një stërvitje dhe më pas morën rrugën drejt Durrësit.
Seanca u përqendrua te kombinimet për akumulim force dhe kondicionin fizik, por nuk u la pas dore pjesa tekniko-taktike. Të gjitha repartet morën vëmendjen e duhur, ku futbollistëve u kërkohet më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione.
MERKATO – Aldrit Oshafi, Blerim Krasniqi dhe Iran Gonçalves janë blerjet e vetme të klubit në këtë merkato vere. Gjasat janë që të mos ketë më prurje, të paktën deri para ndeshjes së turit të parë të Ligës së Europës. Nëse do e kalojnë këtë raund, me siguri që durrsakët do të përforcohen, e megjithatë vëmendja aktualisht është e gjitha e përqendruar tek izraelitët.
STADIUMI – Në një kohë që ekipi po përgatitet, drejtuesit po merren me organizimin e ndeshjes. Ata po vijojnë punën edhe me rregullimin e çdo sektori të stadiumit, që të enjten të jetë gati. Të dielën ka përfunduar lyerja e fasadës së stadiumit, por edhe pjesët anësore të tribunave dhe gjithashtu u janë vendosur stola të rinj pankinave, sipas kërkesës së UEFA-s duhet të ketë 7 ulëse për çdo skuadër./panorama-sport/