Teuta ka mbrojtjen e dytë më të dobët në Kategorinë Superiore, duke lënë pas vetëm Lushnjën e vendit të fundit.

Durrsakët kanë pësuar 42 gola dhe kanë shfaqur vakume në sistemin difensiv, megjithatë javët e fundit pika më problematike e “djemve të detit” është kthyer në një armë për teknikun Begeja.

Teuta nuk pësoi asnjë gol kundër Laçit dhe më kryesorja ja doli të bllokonte Bregun, Abazajn, Shkurtajn e Rrocën në transfertën e vështirë të Gjirokastrës.

Bregdetarët kanë vuajtur gjatë gjithë sezonit për të gjetur qëndrushmërinë në portë ku Moçka e Kastrati shpesh herë ndryshonin vendet, por tashmë portieri vlonjat është konsoliduar mes shtyllave dhe meritë të veçantë në ecurinë pozitive të Teutës ka edhe 28-vjeçari.

Gjithashtu më e qëndrushme është edhe mbrojtja. Hakaj, Hrkaç, Shkalla, Gjeorgjevski e Alhasan bashkëpunojnë shumë më mirë dhe pavarësisht se në raste të veçanta shfaqin luhatje janë të aftë të mbulojnë menjëherë gabimet,

madje jo vetëm kanë kryer detyrën primare që është të mbajnë të paprekur portën, por kanë rezultuar deçiziv edhe në finalizim.

Momenti më vendimtar i sezonit nuk mund ta gjente në formë më optimale se kaq skuadrën e Gentian Begejës.

2 fitore dhe 2 barazime në 4 sfidat e fundit i kanë rikthyer këtij ekipi dëshirën për të luftuar. Në fundjavë do të luhet dueli i sezonit përsa i përket mbijetetsës.

Teuta do të presë në “Niko Dovana” Vllazninë. Një fitore e mundshme do e barazonte me pikë me kuqeblutë, por me një avantazh më shumë pasi ndeshjet direkte do të favorizonin “djemtë e detit”.