Ende s’është hapur zyrtarisht merkato e dimrit, megjithatë drejtuesit e Teutës kanë nisur nga puna. Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsport.al që Jurgen Goxha pritet të jetë afrimi i parë i “Djemve të Detit. Pas largimit të Rustem Hoxhës dhe tërheqjes nga futbolli të Renato Arapit, reparti i prapavijës nuk është më në nivelin e sezonit të shkuar.
E në këto kushte, drejtuesit së bashku me stafin teknik kanë vendosur të ndërhyjnë. Qendërmbrojtësi i njohur shihet si i duhuri për këtë repart për shkak të cilësive dhe eksperiencës që ka në kampionatin shqiptar. Mësohet se është arritur një marrëveshje në parim, por ende s’ka asgjë zyrtare.
28-vjeçari durrsak aktualisht aktivizohet me skuadrën e Sabali në Azerbajxhan. Kontrata e tij me azerët përfundon në qershor të vitit 2022, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të shkëpusë me konsensus bashkëpunimin që në këtë merkato janari.
E kësisoj “Djemtë e Detit” priten të jenë destinacioni i ri për të. Më parë Goxha ka luajtur me Bylisin, Erzenin, Tiranën, Shënkollin, Besëlidhjen dhe Ilirinë. /Newsport/