Teuta ia ka dalë të marrë tre pikët në sfidën shtëpiake ndaj Vllaznisë. Durrsakët e nisën jo mirë, teksa u ndëshkuan nga një gol i Gurishtës në minutën e 16. Në fakt një pjesë të madhe të meritës për golin e realizuar nga kuqeblutë e ka edhe Lika, i cili ekzekutoi mjeshtërisht goditjen e dënimit. Frashëri reagoi por sfera iu rikthyer Gurishtës që shënoi.
Megjithatë, vendasit ditën dhe gjetën forcat për të reaguar teksa barazuan pas shtatë minutash me anë të mbrojtësit Hoxha, i cili shtyu topin në rrjetën e boshatisur. Madje, pësoi një dëmtim të vogël prej kontaktit me shtyllën. Ndërkaq, kur dukej se pjesa e parë do mbyllej në barazim, ishte portieri Laço që gaboi. Dhe, aty Todorovski nuk fali dhe realizoi me një parabël nga jashtë zone.
Kështu u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa fraksionin i dytë nisi më së miri për Teutën që gjeti edhe golin e tretë me anë të Lorenco Vilës. Në vazhdim shkodranët provuan të shkurtonin diferencat por as Hristov e as Xhunior nuk ia dolën të mposhtnin Frashërin. Në këtë formë, Teuta mori fitoren mjaft të rëndësishme për synimet e tyre, ndërsa ngjiten në vendin e katërt me 35 pikë në klasifikim. Ndërkohë, nga ana tjetër Vllaznia ngelet në vendin e tetë me 28 pikë pas 22 javëve kampionat. /Egi Cabeli-VipSport.al/
Formacionet zyrtare:
Teuta: Frashëri, Kuro, Hoxha, Hrejliç, Todorovski, Aleksi, E.Vila, Çyrbja, Kallaku, L. Vila, Gomes
Trajner: Edi Martini
Vllaznia: Laço, Malota, Adili, Gligorov, Gurishta, Krymi, Hygor, Ramadani, Hristov, Xhunior, Lika
Trajner: Mirsad Jonuz
Gjyqtar kryesor: Olsid Ferataj
Teuta-Vllaznia 3-1
Shënues: 23′ Hoxha ,44′ Todorovski ,46′ L.Vila/16′ Gurishta