Teuta zhvilloi një ndeshje të madhe në “Niko Dovana”, duke fituar me përmbysje kundër Kukësit, që vinte pas një sërë rezultatesh pozitive.

Sindrit Guri bëri një performancë mjaft të mirë në sytë e trajnerit Christian Panucci, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna për të parë në veprim shkodranin.

Miqtë e nisën mirë duke kaluar të parët në avantazh me Gurin, por vendasit përmbysën gjithçka brenda 45’ minutash.

Me këtë fitore Teuta afrohet edhe më shumë me mbijetesën, pasi ngjitet në kuotën e 40 pikëve në vend të tetë, dy më shumë se Vllaznia e parafundit.

Kukësi e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen, duke kaluar në avantazh pas 16’ minutash lojë me anë të sulmuesit Guri, që shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Shpëtim Moçka, duke e dërguar sferën në rrjetë.

Gjithsesi gëzimi nuk zgjat shumë për miqtë, pasi Teuta barazoi ndeshjen me anë të mesfushorit Ardit Hila.

Pas një kundërsulmi sulmuesi Amadu Latif, fitoi një penallti, të cilën e ktheu në gol elbasanasi Hila (21’).

Në barazim loja bëhet interesante me sulme dhe kundërsulme nga të dyja skuadrat. Vendasit janë ata që luajnë më mirë duke iu afruar golit me Latif dhe Çyrben, por si afrikani ashtu edhe kapiteni nuk janë efikas përpara portës.

3’ minuta përpara fundit kapiteni Arbër Çyrbja realizoi një gol të shkëlqyer pas një inkursioni personal në krahun e djathtë.

Shijaksi fiton duelin me Rrumbullakun dhe afrohet drejt zonës së portierit, ku nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Frashri, edhe pse nga një pozicion tepër i vështirë duke e futur poshtë këmbëve të korçarit.

Teuta e nis mjaft mirë mirë të dytën duke shënuar golin e qetësisë me anë të mesfushorit Ante Hrkaç.

Kroati e dërgoi në rrjetë krosin e Arsid Krujës nga goditja e dënimit (49). Në avantazh Teuta luan më mirë duke i lënë pak hapësira kampionëve në fuqi, që provojnë me të gjitha mënyrat të rihapin ndeshjen.

Kukësi ka një mundësi të shkëlqyer për të shënuar golin e dytë në këtë takim, por Shkalla largon topin duke e shpëtuar skuadrën nga një gol i sigurt (62’).

Sulmuesi shkodran provon sërish në aksionin e radhës të rrezikshëm të verilindorve, por Moçka pret pa vështirësi.

Gjithsesi pas katër minutash Guri nuk zhgënjeu duke e dërguar sferën në rrjetë pas një krosi nga Etemi.

Mesfushori pasi fitoi duelin me Gjeorgjievskin, kroson drejt zonës dhe shkodrani nuk fal duke mposhtur për hërë të dytë Moçkën.

Pavarësisht rasteve të rrezikshme ndeshja mbyllet me fitoren e Teutës, që e afron edhe më shumë me mbijetesën. /EDS/

Teuta-Kukësi 3-2

Shënuesit: Hila pen. 21′, Çyrbja 42′ , Hrkaç 49′ / Guri 16′, 67′