Trajneri i skuadrës së Teutës, Edi Martini ka analizuar sfidën e radhës, atë me Laçin, e vlefshme për javën e 26-të të Kategorisë Superiore. Një përballje mes dy skuadrave që i ndan veëm një pikë dhe që pretendojnë titullin në këtë sezon. Trajneri I durrsakëve ka besim tek të tijtë dhe beson se do e kalojnë me sukses këtë provë.

“Rëndësia është e madhe, jemi dy skuadra që pretendojmë të marrim trofeun. Ndeshja është shumë e fortë. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Me përjashtim të Kuoros që ka pësuar një dëmtim dhe Grudës që nuk është pjesë e skuadrës këtë javë, pjesa tjetër është në rregull. Jemi stërvitur mirë, dëshira është e madhe dhe të gjithë mezi po e presim ndeshjen. Ne kemi lojtarë mjaft të mirë në fazën ofensive. Jam i bindur që në çdo moment të ndeshjes munden të ndëshkojnë kundërshtarin”.

“Sfida me Laçin është shumë e rëndësishme, është një ndeshje ndaj një rivali direkt. Diferenca është vetëm një pikë. Normalisht që është një takim delikat, ku një fitore do na bënte shumë punë për të ecur drejt kreut. Janë edhe dhjetë ndeshje të tjera, por duke pasur parasysh që është rivali direkt, merr një rëndësi të madhe”.

“Kam besim absolut te këta djem. Nesër duhet të jenë të gatshëm, të qartë dhe të qetë përpara portës, që është më kryesorja. Shpresoj të shënojmë, por nuk ka rëndësi se kush shënon, një mbrojtës apo mesfushor. Jemi në fazën e fundit të kampionatit, po shkojmë drejt fundit. E rëndësishme është fitorja, nuk ka rëndësi kush shënon”.

“Kam besim te Blerimi, është një djalë që ka forcë të jashtëzakonshme, është një lojtar potent. Nuk ka shënuar shumë gola, kjo shihet qartë, megjithatë kam besim në çdo moment se do të shënojë, pse jo edhe në ndeshje delikate. Ndaj Partizanit shënoi një gol shumë të bukur në barazimin 1-1, shpresoj, mendoj dhe kam besimin se nesër do arrijë të tund rrjetën”.

“Ne jemi që në fillim të kampionatit në ndjekje të Vllaznisë, Laçit apo Partizanit. Kemi bërë jo shumë mirë, pasi kemi patur mundësi të bënim edhe më mirë, por më mirë është ta ndjekësh kundërshtarin deri në fund të kampionatit dhe ta kalosh në finish, se sa ta mbash dhe ta lëshosh vendin e parë”.

“Kupa? Jam shumë i fokusuar te ndeshja me Laçin, problemi i fundit është ndeshja e Kupës. Pas dy javësh që do të jetë ajo ndeshje, kemi kohë të bisedojmë, por e rëndësishme është sfida me Laçin”.